bernard

Shëndeti Publik në shekullin XXI: Shkencë, solidaritet dhe siguri për të gjithë

Në fillim të shekullit të kaluar, shëndeti publik nënkuptonte dezinfektimin e ujit, kontrollin e mbeturinave dhe luftën kundër sëmundjeve infektive si tuberkulozi dhe kolera. Mjekët dhe punëtorët shëndetësorë të asaj kohe kishin një mision të qartë, të frenonin epidemitë që rrezikonin jetën e mijëra njerëzve. Por sot, në shekullin XXI, shëndeti publik është shumë më tepër sesa një përgjigje ndaj krizave shëndetësore. Ai është një sistem kompleks që prek çdo aspekt të jetës sonë, nga ajri që thithim e ushqimi që hamë, deri te politikat që ndikojnë në barazinë shoqërore dhe mjedisin ku jetojmë.
Por çfarë është në të vërtetë shëndeti publik? Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është “shkenca dhe arti i parandalimit të sëmundjeve, zgjatjes së jetës dhe promovimit të shëndetit përmes përpjekjeve të organizuara të shoqërisë.” Kjo do të thotë se shëndeti publik nuk është vetëm çështje e institucioneve shëndetësore dhe mjekëve, por është një përpjekje kolektive që kërkon angazhim të qeverisë, institucioneve, komuniteteve dhe çdo individi.

Nga shekulli XX te shekulli XXI: Evolucioni i konceptit
Në shekullin XX, fokusi kryesor ishte parandalimi i sëmundjeve ngjitëse përmes vaksinimit, higjienës dhe kontrollit të mjedisit. Përparimet në antibiotikë dhe vaksina çuan në ulje sinjifikante të mortalitetit nga sëmundjet infektive. Por sfidat e reja të shekullit XXI kërkojnë një qasje shumë më të gjerë.
Sot, shëndeti publik në interesin e vet përfshin:
Sëmundjet jo-ngjitëse (NCDs) si diabeti, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet malinje, të cilat lidhen ngushtë me stilin e jetesës, dietën dhe faktorët socio-ekonomikë.
Shëndetin mendor, ku depresioni dhe ankthi janë bërë ndër shkaqet kryesore të paaftësisë globale.
Shëndetin mjedisor, ku ndotja e tokës, ujit dhe ajrit, e ndryshimet klimatike ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e individit dhe shoqërisë. Për shembull, lufta kundër ndotjes së ajrit në Londër dhe Paris, ka sjellë për efekt reduktimin e ndjeshëm të ndotjes së ajrit dhe sëmundjeve respiratore përmes kufizimit të lëvizjes së automjeteve ndotëse.

Shëndetin digjital, duke përfshi luftën nga varshmëritë nga teknologjia, e deri te përdorimi i teknologjisë për monitorim, parandalim dhe edukim shëndetësor.

Fushëveprimi i shëndetit publik në shekullin XXI
Shëndeti publik sot është një koncept ndërdisiplinar, e jo vetëm mjekësor. I cili përfshin:
Epidemiologjinë moderne: përdorimi i big data dhe inteligjencës artificiale për parashikimin e shpërthimeve të epidemive.
Politikat shëndetësore: ligje dhe rregullore që mbrojnë të drejtën e qytetarëve për një mjedis të sigurt e të shëndetshëm, shërbime shëndetësore të casshme e cilësore.
Promovimin e shëndetit: programe edukimi që fuqizojnë individët të marrin vendime të shëndetshme. Për shembull, programi “Blue Zones” në SHBA dhe Evropë, ka treguar qv mund të ngriten komunitete që jetojnë më gjatë falë politikave që inkurajojnë aktivitetin fizik, dietën e shëndetshme dhe lidhjet sociale.

Parandalimin dhe reagimin ndaj emergjencave: nga pandemitë te fatkeqësitë natyrore.
Ky fushëveprim është i gjerë sepse shëndeti publik është i lidhur me çdo sektor, si arsimi, ekonomia, transporti, mjedisi, siguria kombëtare.

Ndikimi social dhe ekonomik
Shëndeti publik është koncept përtej çështjes mjekësore, është baza e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Studimet e OECD tregojnë se çdo euro e investuar në masa parandaluese kthen 14–20 euro në kursime të kostove të trajtimit dhe humbjeve ekonomike.
Ndikimi në shoqëri:
Barazi dhe drejtësi: Qasja e barabartë në shërbime shëndetësore ul hendekun mes shtresave shoqërore.
Produktivitet: Popullata e shëndetshme është më e aftë për të punuar dhe kontribuar në ekonomi.
Kohezion social: Politikat që promovojnë shëndetin publik forcojnë besimin tek institucionet.

Ndikimi në sigurinë kombëtare
Krizat shëndetësore si COVID-19 treguan se një sistem i dobët i shëndetit publik mund të paralizojë ekonominë dhe të krijojë pasiguri politike. Vendet me sisteme të forta të shëndetit publik kanë menaxhuar më mirë pandeminë, duke ruajtur stabilitetin e tyre. Për shembull, reagimi i shpejtë ndaj COVID-19 në Korenë e Jugut, me testim masiv, gjurmim i kontakteve dhe komunikim transparent ka treguar një sukses në menaxhimin e infeksioneve me COVID-19.

Çfarë do të thotë shëndeti public për Kosovën?
Për Kosovën, shëndeti publik në shekullin XXI duhet të përfshijë një qasje gjithëpërfshirëse që i përgjigjet sfidave të reja dhe trashëgimisë së problemeve të vjetra. Ai duhet të mbështetet në:
Investim në epidemiologji dhe laboratorë modernë për monitorim, parashikim dhe reagim të shpejtë ndaj sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse.
Prioritet për shëndetin mendor, sidomos te të rinjtë, duke integruar shërbime në komunitet, shkolla dhe vendin e punës, si dhe duke luftuar stigmatizimin.
Politika të gjelbra për reduktimin e ndotjes së ajrit, mbrojtjen e burimeve ujore, menaxhimin e mbeturinave dhe krijimin e hapësirave të shëndetshme urbane.
Edukimin e popullatës për stil jetese të shëndetshme, ushqyerje të balancuar, aktivitet fizik dhe parandalim të obezitetit, duhanit dhe konsumit të alkoolit.
Transparencë dhe komunikim publik nga institucionet për çdo çështje shëndetësore, duke ndërtuar besim dhe përgjegjësi.
Forcimin e kujdesit parësor shëndetësor, që mjeku familjar të jetë porta e parë dhe më e besueshme për parandalim dhe trajtim.
Digjitalizimin e sistemit shëndetësor me kartela elektronike, telemjekësi dhe analiza të të dhënave për një sistem më efikas dhe më transparent.
Promovimin e vaksinimit dhe programeve parandaluese, duke i bërë ato themel të shëndetit publik.
Zbutjen e pabarazive shëndetësore mes qyteteve dhe fshatrave, dhe garantimin e qasjes së barabartë për të gjitha grupet shoqërore.
Fuqizimin e profesionistëve shëndetësorë me edukim të vazhdueshëm, kushte dinjitoze pune dhe mbështetje për të qëndruar e kontribuar në Kosovë.
Sigurinë ushqimore dhe kontrollin e cilësisë së ushqimit e ujit, për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.
Shëndetin e nënës dhe fëmijës, përmes kujdesit prenatal dhe neonatal, vaksinimit dhe mbështetjes së zhvillimit të hershëm.
Përgatitjen për emergjenca dhe kriza shëndetësore, që Kosova të jetë më e gatshme ndaj pandemive, fatkeqësive natyrore apo ndotjeve masive.
Sigurinë në vendin e punës dhe mbrojtjen nga sëmundjet profesionale, duke përmirësuar standardet dhe inspektimet.
Politika për plakje të shëndetshme, duke krijuar shërbime për të moshuarit dhe duke u përgatitur për ndryshimet demografike.

Përfundim:
Shëndeti publik kërkon një kontratë shoqërore, ngase nuk është luks, por është kusht themelor për jetën, lirinë dhe prosperitetin. Ai kërkon bashkëpunim të të gjithëve, nga politikëbërësit dhe profesionistët shëndetësor te bizneset dhe qytetarët.
Në fund, është një kontratë e heshtur që i bëjmë njëri-tjetrit, unë kujdesem për shëndetin tënd, ti kujdesesh për shëndetin tim, dhe së bashku kujdesemi për familjet tona, për mjedisin ku jetojmë dhe veprojmë.